Mesazhi i presidentit

Të nderuar bashkatdhetarë,

Kam  kënaqesinë e veçantë t’ju njoftoj, se më miratimin e Shtetit të New Yorkut,  më 30 Dhjetor 2009 u themelua Alba Life Inc, si një Non Profit Organization.  Qëllimi i Alba Life është që të ruajë dhe pasurojë, gjuhën tonë të ëmbël shqipe, kulturën dhe traditat e popullit tonë të mrekullushëm.  Po ashtu ajo nëpërmjet programeve të veçanta të saj, Alba Life do të synojë të ndihmojë në integrimin sa më të shpejtë të emigranëtve të rinj që do të vinë nga Trojet tona.

Realizimin e qëllimeve të punës së saj  Alba Life do ta përqëndrojë kryesisht  në dy drejtime kryesore: Së pari në atë  të Televizionit Alba Life si dhe në hapjen e Shkollës së Gjuhës Shqipe për fëmijët e emigrantëve Shqiptarë dhe më gjerë.

Nëpërmjet Televizionit ne do të synojmë të mbajme lidhje të vazhdueshme me  Trojet tona, të cilat do të gjejnë pasqyrimin në programet që ne do t’i persosim më tej e do të japim herë pas here programe për figurat e ndritura të Kombit tonë.  Po ashtu  ne do të synojmë të dokumentojmë historinë e bashkatdhetareve tanë  këtu në Emigracion, duke evidentuar figurat më të njohura në arritjet e shkencës, kulturës e të biznesit të personave të veçantë të Komunitetit tonë.

Të nderuar Bashkatdhetarë,

Përmirësimi i programeve tona është i lidhur edhe me bashkëpunimin, kontributin e sponsorizimin tuaj në këtë drejtim, pasi kulturën tonë të lashtë duhet  ta ruajmë si gjënë më të shenjtë këtu në emigracion e ta pasurojmë atë më tej.

Po ashtu nëpërmjet Shkollës Shqipe ne do t’u vimë në ndihmë të gjithë grupmoshave të besimeve dhe trevave të ndryshme shqiptare, që kanë nevojë të mësojnë apo përmirësojnë gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqipe, për të cilën të parët tanë sakrifikuan aq shumë, duke derdhur gjakun e tyre.  Ne do të gërshetojmë që veç programit të gjuhës të lëme dhe kohë për dhënien e informacioneve e njohjen me kulturën dhe traditat e bukura të trevave shqiptare.  Do të gërshetojmë dhe aktivitete të ndryshme me karakter zbavitës për femijët, me qëllim që ata të miqësohen e familjarizohen me njeri-tjetrin.  Një vend te veçantë do te zënë këngët dhe vallet e folklorit shqiptar, të cilat do të gjejnë pasqyrim në koncertet që do të organizojmë herë pas here.

Të nderuar prindër,

Sillni fëmijët të mësojnë gjuhën e ëmbël shqipe, se vetëm në shkollë mësohet gjuha shqipe më mirë dhe më bukur. Regjistrimet janë në proces.

Ju faleminderit dhe mirëpresim bashkëpunimin tuaj.

Me shumë respekt,

Qemal Zylo

Alba Life Inc/Themelues/President